Bllokimi i rrugës Librazhd-Prrenjas pas shembjes masive të dherave, përveç izolimit të Juglindjes ka sjellë edhe një tjetër shqetësim për banorët e zonës. Ata kanë theksuar se pas këtij bllokimi, është rritur çmimi i biletës së transportit.

Nëse më parë për të udhëtuar drejt Tiranë paguanin 700 lekë të reja tashmë çmimi ka shkuar në 1000 lekë të reja për një biletë.

“Thonë do jetë 10 mijë lekë. Më parë ishte 7. Ne na merrni, merrni atë qen atje që e shikon urën me helikopter. Atje t’i bjerë ndonjë hata në Shkumbin. Për dy persona duhet të paguaj 20. Rriten çmimet, rrugët nuk bëhen. Vetëm vjedhin. Aq sa ka vjedhur kjo qeveri nuk është vjedhur ndonjëherë kombi. Këtë rrugë e bëjmë shpesh”, ka thënë një qytetar i revoltuar.

Gjithashtu një tjetër qytetarëve, ka ngritur shqetësimin për rritjen e kostos së çmimit të biletës.

Frika e qytetarëve është se këto çmime mund të mbeten.

“Ne nuk na pyet njeri. Nuk dimë çfarë do bëhet. Ne me 70 mijë pension nuk kemi si t’ja dalim”, tha një tjetër qytetar.

Fugonat që lidhin juglindjen me kryeqytetin janë detyruar të ndryshojnë itinerar, duke kaluar nga aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, çka ka zgjatur ndjeshëm kohën e udhëtimit.

Devijimi përmes këtij segmenti, i cili është më i ngushtë dhe me shumë kthesa dhe mbi të gjitha i dëmtuar, ka rritur ndjeshëm kostot operative.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb