Është shtyrë seanca në procesin e veçuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj dhe Aleksandër Laho, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor 2019 pranë mbikalimit të Shkozetit, në Durrës. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Në këtë proces po gjykohen të ndarë nga pjesa tjetër e dosjes për të akuzuarit Bledar Polovina dhe Amar Shembi. Sipas të dhënave të paraqitura në seancë, Bledar Polovina vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar. Gjykata ka bërë thirrjen ndaj tij përmes shpalljes publike, si edhe në adresën e tij të banimit, ndërsa është marrë informacion edhe nga Interpol Tirana.

Referuar shkresës së mbërritur nga Interpol, Polovina është lokalizuar në SHBA dhe autoritetet shqiptare u kanë dërguar kërkesë për ekstradim autoriteteve amerikane. Megjithatë, sipas informacionit të përcjellë në gjykatë, ende nuk ka të dhëna mbi ecurinë e këtij procesi.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar që procesi të vijojë në mungesë të Bledar Polovinës. Nga ana tjetër, mësohet se Polovina ka paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar përmes një emaili dërguar avokatit të tij, Sajmir Visha. Por, sipas gjykatës, kërkesa nuk është paraqitur në formën e parashikuar nga ligji dhe për këtë arsye nuk mund të pranohet. Ndërkohë, avokati i Amar Shembit ka kërkuar kohë për t’u njohur me aktet e dosjes, pasi është zgjedhur mbrojtës vetëm një ditë më parë. Për këtë arsye, trupa gjykuese vendosi shtyrjen e seancës për datën 11 mars, në orën 11:00.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: