Gjykata e Posaçme nisi të enjten të dëgjojë dëshmitarët e thirrur nga SPAK në procesin ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli.
Kristian Shkreli është i akuzuar për “korrupsion zgjedhor”.
Në seancë dëshmitari Alfred Martini deklaroi se për ankesat që kanë paraqitur te kryebashkiaku kanë gjetur zgjidhje.
“Ne kemi shkuar gjithë si banorë të fshatit Stajkë, jemi ankuar tek Kristian Shkreli, se nuk kishim energji elektrike. Faleminderit prej tij, se na ka sjellë dritat. Ne nuk kemi ca flasim për të. Për ne është i nderuar i respektuar. Falë tij kemi edhe rrugën. Jemi takuar tek lokali i tij në Kryebushat. E morëm në telefon. Ishim 5 vetë e deshëm ta takonim, me xhaxhallarët dhe miq të tyre. Në atë takim, na premtoi për dritat e për rrugën. Ne shkuam tek Shkreli, se ishte kryetar bashkie. Dritat erdhën për një javë. Jemi krejt të kënaqur. Për zgjedhjet e 11 majit nuk kam marrë asnjë orientim nga Kristian Shkreli”., ka thënë ai.
Ndërkohë në seancë, Prokurori ka lexuar një përgjim mes dëshmitarit me Shkrelit, të datës 18 prill 25, ku Shkreli i thotë “Dritat i ke të kryme” e më pas i thotë “veç për Tomën”.
Por nga ana e tij Alfred Martini ka thënë se ishte një përgjigje në shenjë respekti.
“Kjo bisedë ishte për shenjë respekti. Me “Tom” në atë bisedë i jemi referuar Tom Doshit”, ka thënë ai.
Prokurori Dritan Preni: “Në një bisedë tjetër të datës 6 maj 25 mes dëshmitarit dhe një personi tjetër, rreth miqësor i tij ku dëshmitari ka thënë “na ka thirr Kristiani. Vjen nesër Toma, tek Angelo në Stajko, në 6 pasdite. Na ka thirr të tanëve si banorë. E mira është me kenë aty, se na duhet edhe për rrugë edhe për gjana. I thuaj dhe Jakut të vijë. Njata që kemi kanë asht mirë me qenë aty nesër”.
Dëshmitari është përgjigjur: Ishim për një miting aty në Stajkë. Ishim për shenjë respekti.
