Bllokimi i aksit Librazhd-Prrenjas ka krijuar vështirësi edhe për urgjencat mjekësore që nisen nga Spitali Rajonal i Korçës drejt Tiranë.
Ambulancat, njësoj si mjetet e vogla, janë të detyruara të ndjekin itinerarin alternativ Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, një rrugë e ngushtë, me kthesa dhe me problematika të shumta në disa pjesë të këtij segmenti.

Për shkak të kushteve të kësaj rruge drejtuesit e ambulancave detyrohen të ulin shpejtësinë, çka zgjat kohën e transportit të pacientëve që kanë nevojë për ndërhyrje apo trajtim më të specializuar në kryeqytet.

Sipas burimeve spitalore, nga Korça drejt Tiranës nisen mesatarisht dy ambulanca në ditë për raste që kërkojnë shërbime më të specializuara.

Çdo minutë në këto raste është e rëndësishme, por devijimi i detyruar dhe zgjatja e itinerarit po krijojnë stres dhe pasiguri për pacientët. Rruga e vështirë dhe koha më e gjatë e udhëtimit krahasuar me itinerarin e zakonshëm shton ankthin edhe tek familjarët e pacientëve sidomos kur bëhet fjalë për raste urgjente.

Në kushte të tilla pohohet fakti se infrastruktura rrugore po ndikon drejtpërdrejt në zinxhirin e kujdesit shëndetësor dhe në jetën e pacientëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb