Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për lirimin nga burgu të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, pasi i kishte mbaruar afati i paraburgimit.
Vandome u mor sot me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Tereza Merkaj, pas ankimimit të bërë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë sipas ligjit.
Kujtojmë se më 11 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, pranoi kërkesën e Kokës për konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit, konkretisht të masës së sigurimit “Arrest në burg”, në lidhje me inceneratorin e Fierit. Sipas gjykatës, kohëzgjatja tërësore e paraburgimit kishte kaluar mbi tre vjet.
Për inceneratorin e Fierit, Koka u dënua më 25 shtator 2023 nga GJKKO me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi zbritje në 6 vite e 8 muaj burgim.
Në dhjetor 2024, Apeli i GJKKO vendosi rikthimin e çështjes për rigjykim në Shkallën e Parë. Më 21 tetor 2025, Gjykata e Lartë vendosi që dosja të shqyrtohet nga Apeli i GJKKO.
Koka u arrestua në dhjetor të vitit 2021 nën akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion, në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit. Në vitin 2023 ai u dënua me 5 vite e 8 muaj burg, por në korrik 2025 Gjykata e Durrësit i njohu të drejtën e lirimit me kusht, duke vendosur që gjatë periudhës së mbetur të dënimit të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës dhe të mos kryejë vepra penale.
Sa i përket dënimin me dy vite për inceneratorin e Tiranës, Koka e ka shlyer dënimin me kohën e paraburgimit.
