Banorët e fshatit Tërpan, në bashkinë e Poliçanit, kanë dalë sot në protestë. Ata kanë bllokuar rrugën nacionale Tërpan–Përmet për rreth një orë, me shpresën se shqetësimet e tyre do të zgjidhen. Banorët janë shprehur se ndërtimi i rrugës nacionale Tërpan–Ballaban–Përmet u ka bllokuar rrugën hyrëse të fshatit. Sipas tyre, rruga është ngushtuar dhe ata nuk po hyjnë dot në shtëpi dhe në plantacionet me ullinj. Gjithashtu, sipas banorëve, janë bllokuar edhe kanalet kulluese, duke bërë që ujërat të vërshojnë nëpër fshat.
Ata pohojnë se rruga, punimet e së cilës nuk kanë përfunduar, u ka shkaktuar mjaft problematika. Banorët bëjnë apel për marrjen e menjëhershme të masave për hapjen e rrugës së fshatit, në mënyrë që të mund të futen lehtësisht me mjete drejt shtëpive dhe me mjete bujqësore drejt tokave me pemëtari.
Administratori i Njësisë Administrative Tërpan, Fatmir Çela, ka pohuar se banorët kanë të drejtë, pasi prej disa ditësh punimet e firmës së rrugës kanë bllokuar dhe ngushtuar rrugën dytësore (ekzistuese) të hyrjes në fshatin Tërpan. Ai ka deklaruar se ia ka përcjellë shqetësimin e banorëve Bashkisë Poliçan, nga e cila i është konfirmuar se do të ndërhyhet në mënyrë të menjëhershme për të zgjidhur problematikën e rrugës hyrëse të fshatit. Çela ka pohuar se Bashkia Poliçan do të ndërhyjë në rrugën e fshatit, por problematikat e shkaktuara nga gurët e rënë gjatë punimeve janë kompetencë e firmës përkatëse të ndërtimit.
