Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, i ftuar në News24, ka komentuar valën e shkarkimeve në qeveri, ku kryeministri Edi Rama largoi disa ministra dhe emëroi të tjerë në poste të ndryshme, ndërsa çështja e Belinda Ballukut vijon të mbetet në qendër të debatit politik.

Sipas Korreshit, shkarkimi i Ballukut dhe lëvizjet e tjera në kabinet nuk përbëjnë ndryshime thelbësore, por janë një hap paraprak i kryeministrit për të testuar situatën politike dhe reagimin ndërkombëtar.

“Balluku ka kërkuar heqjen e Spiropalit nga posti i ministres. Po ashtu besoj se ka ndikuar edhe paaftësia e saj. Pjesë tjetër e ofertës ishin emërimi i drejtorit të OSHEE-së si ministër, është një ‘zar’ i Ballukut. Ai ka qenë i deleguar i saj në Fier. Tjetri ka qenë drejtor i kabinetit, edhe atë e ka vendosur ministër. Ajo tani është ministre e dy ministrive pa dashur të firmosë. Po ashtu ka ministrin e Financave e të tjerë”, u shpreh Korreshi.

Deputeti demokrat theksoi se, në vlerësimin e tij, nuk ka ndryshime të rëndësishme në thelb, por vetëm riorganizim të brendshëm.

“Ky është një hap paraprak i Ramës, sepse do të testojë situatën. Zgjimi i faktorit ndërkombëtar, si europian ashtu edhe amerikan, unë mendoj se është. Nuk mjaftojnë debatet e opozitës në Parlament, por protestat e fundit, edhe pse me skepticizëm, kanë sjellë jehonë të jashtëzakonshme në mediat e huaja për presionin ndaj shkarkimit të Ballukut”, deklaroi ai.

Korreshi shtoi se opozita nuk kërkon vetëm shkarkimin dhe arrestimin e Ballukut, por edhe ngritjen e një qeverie teknike.

Sipas tij, Rama e ka bërë shkarkimin për të treguar para opinionit ndërkombëtar se ka reaguar ndaj presionit, por kjo, sipas deputetit të PD-së, nuk do të zbusë as presionin ndërkombëtar dhe as atë të opozitës.

Në vijim, ai paralajmëroi përshkallëzim të mundshëm të aksionit opozitar.

“Nuk përjashtoj faktin se mund të kemi ngujim apo grevë urie për heqjen e imunitetit të Ballukut brenda sallës së Parlamentit. Kjo është diskutuar prej kohësh dhe është vija e kuqe. Këshilli i Imuniteteve ka për qëllim të shohë nëse kemi të bëjmë me gjyq politik apo jo për heqjen e imunitetit të deputetes. Edhe vetë avokati i Ballukut ka thënë se nuk është gjyq politik, por se masat janë të tepërta”, përfundoi Korreshi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb