Gazetarja Anduena Llabani, e ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit mes politikës dhe drejtësisë, duke u ndalur te përplasjet e reja që përfshijnë emrat e kryeministrit Edi Rama, Ilir Metës dhe ekstradimin e Durim Bamit.
Sipas Llabanit, situata e krijuar tregon për një faktor të fortë presioni ndaj kryeministrit.
“Duket se kemi një faktor të fortë kundër kryeministrit. Është Ilir Meta. Për herë të parë e dëgjuam dje që pas një viti e ca në paraburgim, ish-zyrtarë kanë thënë se kryeministri Edi Rama është pas akuzave të ngritura ndaj nesh dhe se ka firmosur dokumentacione në lidhje me to. Kjo nuk ka ndodhur më parë”, u shpreh ajo.
Gazetarja theksoi se këto deklarata mund të marrin peshë në procesin gjyqësor, duke kujtuar se Meta dhe Kryemadhi kanë kërkuar në gjykatë që Rama të thirret si dëshmitar.
“Nëse ai ka firmosur, do të shohim deri ku shkon kjo çështje”, shtoi Llabani.
Ajo bëri gjithashtu një lidhje me ekstradimin e fundit të Durim Bamit nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë, duke theksuar se ka informacione se kërkesa për ekstradim është bërë personalisht nga kryeministri.
“Dje u ekstradua Durim Bami në Shqipëri nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Kam informacion se Edi Rama ka kërkuar personalisht këtë ekstradim. Ka pasur deklarata nën brez kur Meta ishte jashtë se Meta dhe Bami mund të kenë bashkëpunuar në eliminime të personave me imunitet. Këto informacione kanë qarkulluar në qershor 2024, kur nisën përpjekjet për ekstradim”, deklaroi ajo.
Sipas Llabanit, arsyet e vërteta mbeten të paqarta nëse janë politike apo ligjore, por nga analiza e deklaratave publike, ajo shprehet se Rama mund ta përdorë ekstradimin e Bamit si një mjet për të goditur politikisht Ilir Metën.
“Rama po e përdor ekstradimin e Bamit për të goditur zotin Ilir Meta. Kanë qenë në bashkëqeverisje”, përfundoi gazetarja.
