Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një njoftim zyrtar për qytetarët amerikanë lidhur me protestën e planifikuar të mbahet nesër, në orën 18:00 në Tiranë nga Partia Demokratike.

Sipas njoftimit, protesta pritet të zhvillohet përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes Sheshit “Skënderbej” dhe Sheshit “Nënë Tereza”, me grumbullimin e protestuesve pranë godinës së Kryeministrisë. Nuk përjashtohet mundësia që tubimi të shtrihet edhe në zona të tjera përreth.

Ambasada thekson se pritet prani e shtuar e Policisë së Shtetit, mbyllje rrugësh dhe bllokime të qarkullimit në orët para dhe gjatë zhvillimit të protestës. Sipas autoriteteve shqiptare, protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime të ndryshme në qendër të qytetit.

Personeli i Ambasadës Amerikane është këshilluar të shmangë zonën e protestës, ndërsa qytetarëve amerikanë u rekomandohet të ndjekin mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve ligjzbatuese për informacione të përditësuara.

Në njoftim theksohet se edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Për këtë arsye, Ambasada këshillon shmangien e zonave ku zhvillohen protesta dhe qëndrim vigjilent për sigurinë personale.

Mes rekomandimeve për qytetarët amerikanë janë:

-Shmangia e pjesëmarrjes apo pranisë në protestë

-Vëmendje ndaj rrethinës

-Kufizimi i shpërqendrimeve si përdorimi i telefonit apo kufjeve në ambiente publike

-Ndjekja e mediave lokale

-Pasja e një plani emergjence ose strategjie daljeje

-Mbajtja e një profili të ulët në publik

Ambasada nënvizon rëndësinë e marrjes së masave paraprake për sigurinë personale gjatë kësaj periudhe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb