Një 53-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle për trafik droge. Pas hekurave ra shtetasi Juli Bulla.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Alert”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar. I kërkuar nga autoritetet spanjolle për veprat penale “Trafik i lëndëve narkotike”, “Organizatë kriminale” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”, kapet dhe arrestohet, me qëllim ekstradimin, 53-vjeçari.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Alert”.
Në kuadër të këtij operacioni, në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor, u bë i mundur lokalizimi në aksin rrugor Elbasan–Peqin, kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimin drejt Spanjës, i shtetasit J. B., 53 vjeç, banues në Vlorë.
Për këtë shtetas, Gjykata Juzgado Central de Instrucción n.º 1 – Audiencia Nacional ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Trafik i lëndëve narkotike”, “Organizatë kriminale” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”, të parashikuara nga Kodi Penal i Spanjës.
Për këto vepra penale, Kodi Penal i Spanjës parashikon dënim maksimal deri në 9 vite burgim.
Interpol Tirana do të kryejë procedurat, në bashkëpunim me homologët në Spanjë, për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Spanjës.”, sqaron policia.
