Dinamo e këtij sezoni ka pasur luhatje të shumta në rezultate megjithatë është një skuadër që shënon shpesh dhe pavarësisht rezultateve që nuk kanë qenë më të mirat e mundshme, blutë janë një nga skuadrat me sulmin më të mirë në Superiore.
Njëkohësisht edhe mbrojtja e Dinamos ka qenë shpesh herë hermetike megjithëse në vitin 2026 ka “futur ujë”. Dinamo ka një skuadër ku thuajse të gjithë lojtarët kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës. Këtë sezon futbollistik, 12 lojtarë të Dinamos kanë arritur të shënojnë, megjithëse dy prej tyre nuk kanë shënuar me fanellën e Dinamos ende.
Malomo dhe Mustafa kanë realizuar 10 gola së bashku por të gjithë këto gola i kanë shënuar me fanellën e Bylisit dhe ende nuk e kanë bërë sefte me fanellën e kryeqytetasve. Megjithatë, kampionati është i gjatë dhe skuadrat kanë ende shumë kohë për të shënuar e për të përmirësuar statistikat.
Në repartin e mbrojtjes, kanë arritur të shënojnë Teikseira dhe Neziri, teksa gol ka arritur të realizojë edhe Bruno Dita por roli i tij natyral është si mesfushor. Sa i përket golashënuesit më të mirë në skuadër, Dejvi Bregu mban kryesimin me 7 gola të shënuar i ndjekur nga Guindo e Vila.
