Marko Bezeki me Aprilia është fituesi i garës së parë të sezonit në Moto GP në Çmimin e Madh të Tajlandës, duke treguar se si kanë ndryshuar hierarkitë në sezonin e ri.
Të gjithë e pritnin Aprilian si konkurruese, por jo në këto nivele, pasi Bezeki që nga pole-position është shkëputur duke thelluar vazhdimisht distancën derisa ka prerë finishin i vetëm i pari, duke shlyer gabimin në sprintin e një dite më parë kur u rrezua. Pas krahëve të “kalorësit të zi”, i quajtur kështu për ngjyrën e Aprilian në këtë sezon, u rendit Pedro Akosta me KTM, i cili ngjiti pozicionet radhazi por nuk mund të bënte asgjë ndaj lideri të garës.
Aprilia ia doli që të çonte Raul Fernandez me modelin Trackhouse në vendin e tretë të podiumit, duke lënë për herë të parë pas 88 garash motorët Dukati jashtë. Horge Martin me Aprilian zyrtare tjetër përfundoi i katërti, ndërsa Ai Ogura me motorin tjetër Trackhouse i pesti, duke mbyllur kështu një fundjavë në mënyrë thuajse perfekte për këtë skuadër.
Mark Markez me Dukati nuk ia doli të bënte asgjë, pasi luftoi në fillim, por pastaj u dorëzua për shkak të problemeve me gomën e shpuar. Sa i përket Banjaja, ai e mbylli këtë garë vetëm në vendin e nëntë, duke treguar se në këtë sezon gjërat mund të jenë krejtësisht ndryshe në luftën për titull.
