CEO i Formula 1, Stefano Domenicali, në intervistën e dhënë për revistën “Sette”, ka rikthyer në kujtesë momentet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke zbuluar detaje për aksidentin e Mikael Shumakerit në Silverston.

“Doli drejt e në barriera dhe theu tibien dhe fibulën sepse… nuk e kemi thënë kurrë… një mekanik nuk e kishte mbyllur siç duhet tubin e frenave. Një gabim në një botë ku gabimet nuk lejohen. Mikaeli nuk i tha asgjë”, rrëfen Domenikali.

Në krye të Formula 1 që nga shtatori 2020, ai foli për gjithçka: për Ferrarin dhe për Mikael Shumaker, kujtimet e tij më të dashura. Ai ka punuar për rreth 23 vite në Maranelo, nga viti 1991 deri në 20140-ën. Në vitin 2008 mori rolin e shefit të skuadrës dhe ishte një nga arkitektët e sukseseve të Ferrarit në fillim të mijëvjeçarit të ri.

KUJTIMI PËR SHUMAKER

“Ai do të ishte një figurë kyçe në botën e F1. Nuk di të them në çfarë roli, por sigurisht që do të ishte me ne”, shprehet kreu i Formulës 1. Shumaker mungon për të gjithë, veçanërisht për njerëzit e sportit. Kjo ndihet qartë nga fjalët e Domenikalit, i cili zbulon edhe disa prapaskena të mbajtura të fshehta për vite. Aksidenti i 11 korrikut 1999 në Çmimin e Madh të Britanisë në Silverstone erdhi si pasojë e një gabimi njerëzor në bokset e Ferrarit.

Po ashtu, një tjetër episod dramatik ishte përplasja në Çmimin e Madh të Belgjikës në Spa, ku Shumaker ishte në krye, nën një shi të rrëmbyeshëm, ndërsa u përplas me David Kulthard. Në bokse shpërtheu kaosi. Shumakeri ishte i bindur se skocezi e kishte bërë qëllimisht për të favorizuar Mika Hakinen dhe po shkonte drejt bokseve të MekLaren për t’u përballur me të, por Domenikali arriti ta qetësonte. “Mikaelit iu deshën 15 ditë për ta përpunuar ngjarjen. Ishte i tërbuar, sepse po luftonte për titullin. Kur e kuptoi situatën, tregoi se e kishte vlerësuar ndërhyrjen time”, rrëfen Domanikali.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb