Sidibe po rezulton transferimi më efikas i Partizanit në merkaton e janarit. Nëse të kuqtë vuanin në repartin ofensiv gjatë pjesës së parë të sezonit, me Sidiben si titullar çdo gjë ka ndryshuar. Për të janë gjashtë ndeshje në total për Superioren, ndërsa numëron katër gola dhe dy asistime.

Ndaj Vllaznisë erdhi debutimi, duke u rezervuar disa minuta në fund. Më pas përballë Elbasanit, Bylisit, Tiranës, Flamurtarit dhe Egnatias, janë parë në çdo ndeshje nga dy gola për Partizanin. Kështu bëhet fjalë për dhjetë gola në total ku në gjashtë prej tyre është Sidibe si protagonist.

Fillimisht asistoi ndaj Elbasanit, më pas shënoi dhe asistoi përballë Tiranës. Dhe përballë Flamurtarit, njëjtë si në derbi, ishte lojtari i ndeshjes. Kjo pasi realizoi dopietë golash duke përmbysur rezultatin.

Dje përballë Egnatias la shenjën e tij sërish me gol. Sidibe vulosi rezultatin 2 me 0 për Partizanin, që në minutën e 14-të. Aty ku përfitoi nga pasimi i Skukës, që e nxori me portën bosh.

24-vjeçari, që numëron paraqitje me moshat e Belgjikës, ka lindur në Bregun e Fildishtë. Si produkt i akademisë së PSV-së, tashmë konsiderohet titullar i rëndësishëm në krahun e djathtë. Vetëm Isgandarli dhe Toma me nga pesë gola, qëndrojnë mbi të si lojtarë të Partizanit në renditjen e golashënuesve të kampionatit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb