TIRANE – Përgatitjet për edicionit e 53-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar tashmë kanë nisur. Madje “Bluetooth” ka arritur të zbulojë edhe të ftuarin e nderit të natës finale. Organizatorët e festivalit kanë menduar që sivjet të këndojë në skenën shqiptare, fituesja e Festivalit Europian 2014, Konçita Urst. Transgjinori që përfaqësonte Austrinë, arriti të triumfonte në ‘Eurosong’, megjithëse mjekra e saj ngjalli debate në të gjithë botën. Po aq shumë debate pritet të ngjallë edhe në Shqipëri vizita e këngëtares me mjekër, që dikur ishte djalë. Burime pranë stafit të RTSH-së bëjnë me dije se fituesja e ‘Eurosong’ e ka pranuar kërkesën për të ardhur në Shqipëri, por ende nuk është dhënë një konfirmim zyrtar për këtë. Pritet që Konçita t’i përshëndesë shqiptarët gjatë natës finale të festivalit të RTSH-së, me këngën që i dha titullin e më të mirës së Europës.
FESTIVALI
Këtë vit, në Festivalin e Këngës në RTSH do të konkurrojnë 28 këngë. Gara më e rëndësishme e muzikës në Shqipëri do të zhvillohet në datat 26, 27 dhe 28 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve. Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka, prezantoi dje për mediat formulën dhe listën e këngëtarëve fitues që do të garojnë sivjet për çmimin e parë të festivalit. Bashkë me drejtorin artistik të festivalit për këtë vit, Shpëtim Saraçi, dhe skenaristen Mira Tuci, Leka ka deklaruar se formula e këtij viti do të jetë që, 28 këngët do të këndohen në dy netët e festivalit, ndërsa në finale do të këndohen 18 këngë të përzgjedhura gjatë dy netëve të para. Mësohet se në garë marrin pjesë shumë artistë të rinj, por edhe shumë emra të njohur të muzikës shqiptare, si: Kozma Dushi, Saimir Braho, Altin Goci, Enver Petrovci, Klajdi Musabelliu, Elhaida Dani etj. Siç kanë shpjeguar organizatorët, praktika e përvitshme është që secilit prej këngëtarëve fitues dhe pjesëmarrës në ‘Eurovizion’ vitet e mëparshme, u bëhet ftesë për pjesëmarrje. Ende nuk dihet se kush do e prezantojë festivalin. Fillimisht u diskutua moderatorja Arbana Osmani, lajm ky që u përgënjeshtrua nga organizatorët.
RRJETET SOCIALE
Deri më tani, si surprizë e këtij viti u konsiderua pjesëmarrja në festival si këngëtar, e aktorit të suksesshëm kosovar Enver Petrovci. Po ashtu, surprizuese ishte edhe pjesëmarrja e Elhaida Danit. Sapo u prezantua emri i këngëtares, nisën edhe dyshimet në rrjetet sociale. Komentues të shumtë mendojnë se, dihet që tani se Elhaida do të jetë fituese e këtij viti. Ka dhe shumë prej atyre që shkruajnë se fitorja e Elhaidës do të jetë një gjë e mirë, dhe se me talentin e saj, këngëtarja shkodrane mund të na prezantojë denjësisht në Festivalin Europian.
RIKTHEHET LINDA HALIMI
Këngëtarja Linda Halimi, e cila disa vite më herët braktisi garën pasi ishte e bindur që fitorja i ishte dhënë paraprakisht Alban Skënderajt, do të rikthehet sërish. Siç duket, Lindës i është kthyer besimi në këtë festival dhe pas shumë kohësh jashtë Shqipërisë, teksa ndjek karrierën e saj në Amerikë, këngëtarja kosovare bëhet pjesë e garës.
(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: