Ka vdekur në moshën 79 vjeçare aktori vlonjat i njohur i humorit, Mane Lumani.

I njohur si një nga katër parodistët legjendarë të Vlorës, Lumani la gjurmë të pashlyeshme në botën e humorit dhe të skenës shqiptare.

Mane Lumani
Mane Lumani

Që prej vitit 2004, aktori i ndjerë nuk fliste më pasi shkak u bë një ndërhyrje kirurgjikale në fyt, ku iu hoqën të gjitha kordat, pas një mase tumoriale të hequr prej aty.

Mane Lumani nisi karrierën e tij artistike si aktor amator në vitin 1974 në ndërmarrjen e Ullishtës, ku spikati për talentin e tij të jashtëzakonshëm në humor dhe aftësinë për të imituar figura të ndryshme.

Aftësia e tij për të sjellë buzëqeshje dhe për të interpretuar role komike me një elegancë të rrallë, i dha atij një vend të veçantë në zemrat e publikut shqiptar

Formimi i grupit “4 parodistët e Vlorës” ishte një moment kthese për humorin shqiptar.

Mane Lumani, së bashku me Agron Hoxhën, Afrim Agallinë dhe kolegun tjetër Muhamet Lika që do të bashkohej më vonë, krijuan një stil të veçantë të humorit që u bë ikonë e artit shqiptar.

Ky grup njihet për paroditë e tyre të mprehta, të mbushura me satirë dhe ironi, që pasqyronin me mjeshtëri realitetin e kohës. Humori i tyre jo vetëm që argëtonte, por gjithashtu ofronte një kritikë të hollë të shoqërisë dhe politikës së kohës.

Mane Lumani mbetet një figurë e paharruar në kulturën shqiptare, një humorist që e solli gëzimin dhe të qeshurën në çdo skenë ku performonte.

Ai mbajti gjallë frymën e humorit të mençur dhe të ndjeshëm, duke i dhënë një kontribut të madh artit skenik shqiptar. Trashëgimia e tij vazhdon të jetojë përmes kujtimeve të artdashësve dhe përmes punës së artistëve që ndjekin gjurmët e tij.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb