Izraeli njoftoi mëngjesin e së sotëm se ushtria e tij ka goditur objektiva të lëvizjes Hezbollah në Liban, pasi ky grup militant – i mbështetur nga Irani – mori përgjegjësinë për një sulm me raketa dhe dronë në veri të Izraelit.
Izraeli tha se, “në përgjigje të sulmeve me predha nga Hezbollahu ndaj shtetit izraelit”, forcat e tij “kanë filluar të godasin objektiva të organizatës terroriste Hezbollah në të gjithë Libanin”.
Detajet mbeten të pakta, por dëshmitarët raportuan se dëgjuan shpërthime në periferitë jugore të Bejrutit – bastion i Hezbollahut.
Ushtria izraelite ka nisur një “fushatë ofensive” kundër Hezbollahut që ka të ngjarë të zgjasë disa ditë, konfirmon Shefi i Shtabit të Forcave Mbrojtëse të Izraelit, Eyal Zamir.
“Ne kemi filluar një fushatë ofensive kundër Hezbollahut. Nuk jemi vetëm në mbrojtje, tani kalojmë në ofensivë. Ne duhet të përgatitemi për disa ditë luftimesh. Nevojitet një gatishmëri e fortë mbrojtëse dhe përgatitje e vazhdueshme ofensive, në valë.”, tha ai.
Një ditë më herët, Hezbollahu – grup militant shiit që prej kohësh konsiderohet aleat i Iranit – shprehu solidaritet me Teheranin pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit, por la të kuptohej se nuk do të përfshihej drejtpërdrejt në konflikt.
Por, në një deklaratë, Hezbollahu përmendi vrasjen e liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, si një nga arsyet për vendimin e tij për të nisur një sulm të ri.
Grupi tha se ka nisur “një breshëri raketash dhe një valë dronësh… në hakmarrje për gjakun e pastër të Ajatollah Imam Sayyid Ali Al-Husseini Khameneit… dhe në mbrojtje të Libanit dhe popullit të tij”.
