Rruga pranë liqenit të Gjinarit në bashkinë e Elbasanit, një prej fshatrave turistikë më të njohur të vendit tonë, ka pësuar dëmtime të dukshme në infrastrukturë. Një rrëshqitje e tokës ka dëmtuar shtresën e asfaltit në këtë segment rrugor, duke krijuar rrezik real për qarkullimin e automjeteve dhe sigurinë e banorëve.
Ky aks rrugor është jetik, pasi lidh disa fshatra të zonës së Gjinarit dhe përshkohet çdo ditë nga mjete private dhe automjete transporti. Çdo dëmtim në këtë segment jo vetëm vështirëson lëvizjen, por rrezikon seriozisht jetën e drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve.
“Alko Impex Construction” mirëmban akset Ibë-Qafë Krrabë, 29 km, Elbasan (Bradashesh) – Kaçolitë, 29 km dhe Elbasan-Gjinar me distancë 52.6 km.
Vlera e tenderit të mirëmbajtjes kap shifrën e 2 mln euro.

Gjinari, i shpallur si një nga fshatrat turistikë të Bashkisë Elbasan, vijon të përballet me problematika infrastrukturore pothuajse në të gjithë segmentet rrugore që të çojnë drejt tij. Pavarësisht investimeve të fundit të realizuara nga Bashkia Elbasan në qendër të fshatit turistik, situata në akset lidhëse mbetet shqetësuese.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për stabilizimin e terrenit dhe rehabilitimin e plotë të rrugës, në mënyrë që të garantohet siguria dhe të mos cenohet zhvillimi turistik i zonës, sidomos në prag të sezonit pranveror dhe veror, kur fluksi i vizitorëve drejt Gjinarit rritet ndjeshëm.
