Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka përfunduar për të gjashtin vit radhazi procesin e monitorimit të transparencës proaktive të autoriteteve publike në Republikën e Shqipërisë. Monitorimi për vitin 2025 ka përfshirë 367 autoritete publike qendrore dhe të varësisë, institucione të pavarura, njësi të vetëqeverisjes vendore, institucione të sistemit të drejtësisë, institucione të arsimit të lartë, urdhra profesionalë si dhe shoqëri tregtare ku shteti zotëron shumicën e aksioneve.

Transparenca proaktive nënkupton publikimin e rregullt dhe të përditësuar të informacionit nga autoritetet publike, duke u mundësuar qytetarëve ndjekjen e veprimtarisë institucionale. Publikimi sistematik i informacionit forcon përgjegjshmërinë, besueshmërinë dhe llogaridhënien e institucioneve ndaj publikut.

Procesi i monitorimit është mbështetur në kërkesat e kuadrit rregullator në fuqi, me qëllim garantimin e aksesit sa më të gjerë dhe gjithëpërfshirës në informacionin dhe dokumentacionin me karakter publik. Për realizimin e këtij vlerësimi janë përdorur 16 tregues monitorimi (nga 12 tregues të përdorur për vitin 2024), të detajuar në seksionin “Metodologjia” të raporteve. Këta tregues analizojnë në mënyrë të hollësishme përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga neni 7 i ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar.

Ky ushtrim i përvitshëm synon jo vetëm evidentimin e problematikave dhe sfidave, por edhe identifikimin dhe promovimin e praktikave të konsoliduara pozitive, ku transparenca proaktive trajtohet si një standard i përditshëm i funksionimit institucional.

Nga analiza krahasimore rezulton një përmirësim i vazhdueshëm i nivelit të transparencës proaktive nga viti në vit, duke marrë në konsideratë si rritjen e numrit të treguesve të vlerësimit, ashtu edhe zgjerimin e numrit të autoriteteve të monitoruara. Megjithatë, mbetet e domosdoshme ruajtja e nivelit të lartë të angazhimit institucional dhe forcimi i përgjegjshmërisë profesionale për adresimin e sfidave të evidentuara gjatë procesit të monitorimit.

Zyra e Komisionerit rithekson se çdo përpjekje për konsolidimin e mekanizmave të transparencës është e mirëpritur, duke theksuar parimin themelor se hapja përbën “rregullin”, ndërsa kufizimet përbëjnë “përjashtimin”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb