Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar në studion e News24, ka reaguar pas procedimit penal ndaj tij në lidhje me protestën e fundit të opozitës. Ai deklaroi se nuk ka dijeni për akuzat konkrete që janë ngritur, duke e cilësuar situatën si pjesë të një presioni politik.
“Nuk e di çfarë akuzash kanë ngritur, por mendoj se është në interes të lojërave të tyre për presion ndaj qytetarëve apo meje. Nuk jam thirrur të jap shpjegime, por shpjegimi është i thjeshtë: po protestojmë kundër korrupsionit dhe vjedhjeve”, u shpreh Balliu.
Ai theksoi se nuk e sheh procedimin si problem, por si “dekoratë”, duke shtuar se është një target politik për shkak të organizimit të protestave. “Organizimet e protestave dëmtojnë ata që kanë probleme me ligjin, drejtësinë dhe qytetarët. Protestat janë vërtetuar se janë të drejta dhe jetike”, tha deputeti demokrat.
I pyetur për momentin kur disa protestues hodhën molotovë dhe fishekzjarrë drejt ish-rezidencës së diktatorit Enver Hoxha në zonën e ish-Bllokut, ku ndodheshin disa artistë të huaj, Balliu deklaroi se nuk kishte dijeni për praninë e tyre brenda godinës.
“Ne nuk ishim në dijeni që aty brenda kishte artistë. U përhap një lajm, mbase edhe nga fakti që dy ditët e fundit Rama ka qenë te vilat në Bllok, se ai po kryente një takim atje me Ilir Prodën në mos gaboj. Kjo ishte ajo që u përhap dhe njerëzit u drejtuan drejt vilës së diktatorit, që e shohin si simbol të diktaturës që do të rikthejë Edi Rama. Nuk kishte lidhje me artistët”, u shpreh ai.
