Kryeministrja italiane Giorgia Meloni , në një intervistë me rrjetin televiziv italian Canale5, iu referua zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme pas  sulmit izraelito-amerikan ndaj Iranit .

“Situata më shqetëson, realiteti më i gjerë më shqetëson. Një krizë e së drejtës ndërkombëtare, e cila është një pasojë e pashmangshme e luftës në Ukrainë, kur një anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së sulmoi një vend fqinj. Ishte e pashmangshme që kjo të çonte në një periudhë kaosi”, theksoi kryeministrja italiane.

“Sigurisht që jam i shqetësuar sepse do të ishte marrëzi të konsideronim se ajo që po ndodh – edhe larg kufijve tanë – nuk na shqetëson. Kjo është arsyeja pse Italia ka bërë përpjekje të mëdha për të arritur një marrëveshje serioze mbi programin bërthamor të Iranit, veçanërisht në një kohë kur e drejta ndërkombëtare po tronditet. Ne nuk mund të lejojmë që regjimi aktual iranian të ketë në dispozicion raketa me rreze të gjatë veprimi me koka bërthamore. Kjo marrëveshje dështoi dhe Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli vendosën të sulmojnë, pa përfshirë partnerët evropianë”, shtoi Meloni.

Lidhur me qëndrimin në Dubai të ministrit italian të Mbrojtjes Crosetto, i cili u kthye dje në Itali, kreu i qeverisë së Romës theksoi se “Ministri Crosetto nuk pushoi kurrë së bëri punën e tij”.

“Ne jemi në kontakt me vendet e Gjirit dhe me partnerët tanë evropianë. Qëllimi është – sigurisht – të mos zgjerohet kriza, por besoj se asgjë nuk mund të përmirësohet nëse Irani nuk ndalon sulmet e tij kundër vendeve të Gjirit, të cilat janë plotësisht të pajustifikuara”, tha Giorgia Meloni.

Lidhur me rrezikun e sulmeve terroriste, kryeministrja italiane deklaroi se në vendin e saj gatishmëria është në nivelin më të lartë, duke filluar nga shërbimet e sigurisë kombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb