Mohammed bin Zayed Al Nahyan, presidenti i Emiratet e Bashkuara Arabe, zhvilloi një vizitë publike në një nga qendrat më të frekuentuara të Dubait, në një përpjekje për të qetësuar opinionin publik mes raportimeve për përgjime të dronëve iranianë nga mbrojtja ajrore e vendit.

Të hënën, ai vizitoi Qendrën Tregtare të Dubait, i shoqëruar nga Princi i Kurorës së Dubait, Hamdan bin Mohammed bin Rashid Al Maktoum, i cili mban gjithashtu postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të mbrojtjes. Sipas videove të publikuara në rrjetet sociale, dy zyrtarët e lartë jo vetëm që shëtitën nëpër ambientet e qendrës tregtare, por gjithashtu u ulën për të pirë kafe dhe për të drekuar në mënyrë të qetë, mes qytetarëve.


Veprimi u interpretua nga shumë komentues si një mesazh i qartë sigurie dhe stabiliteti. “Kështu e qetëson kombin pa thënë asnjë fjalë. Lëvizje e fuqishme”, shkruanin përdoruesit në rrjetet sociale, duke e cilësuar paraqitjen publike si një sinjal besimi në situatën e sigurisë në vend. Autoritetet nuk kanë raportuar për incidente të drejtpërdrejta në territorin e Emirateve, ndërsa paraqitja publike e udhëheqësve shihet si pjesë e përpjekjeve për të shmangur panikun dhe për të ruajtur normalitetin në jetën e përditshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: