Të gjithë përdoruesit e arteries më të rëndësishme të rrugës kombëtare që lidh Tiranën me juglindjen e Shqipërisë dhe me shtetet fqinje janë sot në pritje të sinjalit për të rifilluar qarkullimin në segmentin e dëmtuar në zonën “Arrat e Gurrës”, në Dragostunjë. Që në orët e para të mëngjesit, qindra automjete tip autoveturë dhe dhjetëra mjete të tonazhit të rëndë, kryesisht të transportit të mallrave, janë rreshtuar në të dy krahët e aksit, në pritje të hapjes zyrtare të kalimit. Ndërkohë, mjetet dhe punonjësit e kompanisë ANK shpk vijojnë punën pa ndërprerje në të gjitha frontet e kantierit, për të garantuar funksionalitetin dhe sigurinë e devijimit provizor.

Pas disa ditësh bllokimi si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave, Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi zyrtarisht se sot, më 03.03.2026, në orën 12:00, rikthehet qarkullimi për të gjitha mjetet në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas. Kalimi do të kryhet përmes një devijimi provizor të ndërtuar ngjitur me gjurmën ekzistuese, si zgjidhje e përkohshme deri në ndërtimin e plotë të rrugës alternative në shtratin e lumit Shkumbin, e integruar me trupin e hekurudhës.

Segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe përkohësisht do të jetë i paasfaltuar, deri në stabilizimin e shtresave mbajtëse. Më pas do të realizohet edhe asfaltimi përfundimtar, duke rikthyer parametrat e plotë të sigurisë.

ARRSH u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës të tregojnë mirëkuptim dhe të respektojnë udhëzimet e Policisë Rrugore, për të shmangur çdo rrezik në këtë fazë tranzitore. Hapja e këtij segmenti konsiderohet jetike për qarkullimin drejt juglindjes dhe për aktivitetin ekonomik, pasi aksi Librazhd–Prrenjas përbën një nyje strategjike që lidh qendrën e vendit me zonat kufitare. Me hapjen e devijimit në mesditë, pritet rikthimi gradual i normalitetit dhe lehtësimi i fluksit të automjeteve që prej disa ditësh kanë mbetur në pritje.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: