Një përleshje e dhunshme midis dy grupeve në një lokal në Itali përfundoi me të plagosur rëndë, përfshirë një shtetas shqiptar 30-vjeçar, i cili ndodhet në rrezik jete në spital. Ngjarja ndodhi në Ranzanico gjatë mëngjesit të sotëm dhe dyshohet se lidhet me luftën për territor dhe trafikimin e drogës.

Plagosja kryesore e shqiptarit ishte me thikë, midis bazës së qafës dhe fytit, ndërsa një italian 26-vjeçar, autor i sulmit, mbeti gjithashtu i plagosur pas koke nga një shishe qelqi gjatë përleshjes. Sulmuesi italian, i varur nga droga, u dërgua në spitalin Humanitas Gavazzeni, ndërsa shqiptari ndodhet nën kujdes intensiv në spitalin Papa Giovanni XXIII.

Ngjarja ndodhi pranë barit Ignazzi, në hyrje të rezidencës ‘La Filanda’, në ish-rrugën shtetërore 42, përgjatë liqenit Endine. Para sulmit, shqiptari dhe dy bashkëkombës të tij u përfshinë në konflikt me italianin, i cili e goditi me thikë, ndërsa viktimat reaguan duke e goditur sulmuesin me shishe qelqi.

Policia italiane njoftoi se të gjithë pjesëmarrësit në përleshje janë arrestuar. Karabinierët e Clusone sekuestruan disa doza kokaine jashtë lokalit, burimi i së cilës është ende i paqartë. Mbrëmë u kryen kontrolle në banesat e të arrestuarve për të përcaktuar lidhjen e mundshme me trafikun e drogës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb