Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj nga seanca gjyqësore në GJKKO për çështjen e ‘Sterilizimit’ ka deklaruar se nuk është njohur me akuzën e ndryshuar as me shkrim dhe as me gojë. “Nuk jam njohur me akuzën e ndryshuar as me shkrim, as me gojë,” u shpreh Beqaj para trupit gjykues.
Ai theksoi se gjatë seancave të mëparshme ka kuptuar se procesverbali i seancës është regjistrim audio dhe për këtë arsye kërkoi që ai të dëgjohet në sallë. “Unë kërkoj që ky audioregjistrim të dëgjohet në sallë. Aty asnjë nga prokurorët nuk e ka shqiptuar me gojë akuzën e ndryshuar”, deklaroi ish-ministri. Beqaj argumentoi se Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare i garantojnë të drejtën për t’u vënë në dijeni në mënyrë të hollësishme për akuzën që i është ngritur.
“Mua ma garanton Kushtetuta dhe konventa të vihem në dijeni hollësisht për akuzën që më është ngritur,” -tha ai. Sipas tij, Kodi i Procedurës Penale nuk e përcakton qartë nëse akuza duhet të bëhet me shkrim apo me gojë. “Kodi nuk e përcakton që akuza bëhet me shkrim, por nuk përcakton as që bëhet me gojë. Nëse njoftimi i akuzës bëhet me shkrim, si mund të ndryshohet me gojë?” përfundoi Beqaj.
