Aktivistja Edlira Çepani, e ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke theksuar nevojën urgjente për ndërhyrje në legjislacionin që rregullon proceset zgjedhore dhe financimin e partive politike.

Sipas Çepanit, Shqipëria vijon të ketë problematika serioze në lidhje me financimin e partive, çështje që, sipas saj, duhet të zgjidhet përpara çdo procesi zgjedhor. “Kemi legjislacion të dobët për financimin e partive politike. Edhe sa i përket krimit zgjedhor ka një problem me sanksionimin ligjor”, u shpreh ajo.

Ajo theksoi se në disa raste janë evidentuar shkelje të qarta gjatë procesit të votimit dhe numërimit, por pa pasoja konkrete në rezultat. “Kemi parë njerëz që ndikonin në numërim dhe votim me zë dhe figurë dhe asnjë ndikim sa i përket rezultatit. Nuk kemi pasur kthim të rezultatit për shkak të krimit zgjedhor”, deklaroi Çepani.

Sipas saj, këto problematika ndikojnë drejtpërdrejt në mospranimin e rezultateve nga partitë politike. “Këto çështje duhet të zgjidhen, sepse ndikojnë në situata si ato që kemi sot, ku partitë politike nuk bien dakord me rezultatin në asnjë proces zgjedhor. Reforma zgjedhore duhet të nënkuptojë një sistem që e bën të mundur që vota e qytetarëve të dëgjohet dhe vlerësohet në mënyrën e duhur”, shtoi ajo.

Në vijim, Çepani u ndal edhe te roli i SPAK, duke e cilësuar punën e këtij institucioni si një hap të rëndësishëm drejt luftës kundër pandëshkueshmërisë. “Punën që po bën SPAK sot nuk është bërë ndër vite. Është një revolucion për të zhdukur konceptin e pandëshkueshmërisë. Kultura e saj ka sjellë një arrogancë ekstreme të zyrtarëve të lartë për të vepruar me skema dhe afera korruptive”, përfundoi aktivistja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb