Shqipëria do të luajë në fundin e muajit një nga ndeshjet më të rëndësishme në histori. Kuqezinjtë do të përballen me Poloninë në “Play Off” të Kupës së Botës dhe në rast të një fitoreje, kuqezinjtë do të kenë një tjetër përballje të madhe, këtë herë në finale kundër fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi. Përgatitjet për këto sfida kanë nisur prej javësh nga stafi teknik dhe FSHF-ja, të cilët i pret jo vetëm një rrugëtim i vështirë, por edhe një vështirësi e madhe në organizim duke ditur faktin se të dyja ndeshjet luhen në transfertë dhe për më tepër, ndeshja e dytë ende nuk dihet ku do të luhet.
Nëse Suedia do të jetë rivali ynë, atëherë përballja do të jetë në Stokholm ose në të kundërt do të përballemi me Ukrainën në Spanjë, për shkak se ukrainasit nuk luajnë në shtëpi si pasojë e luftës me Rusinë. Për këto sfida, pritet që të ketë risi në listën e Silvinjos dhe “Panorama Sport” ka mësuar se mbrojtësit Stavro Pilo dhe Bujar Pllana janë shumë pranë Shqipërisë, teksa konfirmimi i tyre pritet të bëhet ditët në vijim, ndërkohë që edhe dekreti nga presidenti për pajisjen e tyre me pasaportë, pritet të bëhet së shpejti.
PILO DHE PLLANA- Si Stavro Pilo ashtu edhe Bujar Pllana do të ishin një armë më shumë për skuadrën tonë në sfidat e këtij muaji. Pilo aktivizohet tiutllar në kampionatin grek me AEK-un, duke qenë edhe një nga më të dalluarit në skuadër. Pilo ka shprehur dëshirën e tij për të luajtur me Shqipërinë, duke qenë nga Finiqi i Delvinës dhe që prej shumë vitesh jeton në Greqi, ku edhe është rritur si futbollist. Pilo ka ndrsyhuar mbiemrin në Greqi dhe njihet si Stavro Pilios megjithatë, kjo nuk e ka penguar që të bëhet gati për të veshur fanellën kuqezi. Nga ana tjetër Pllana ka luajtur me Kosovën U19 dhe atë U21, teksa aktivizohet në kampionatin polak me Legia Gdansk dhe është një nga më të dalluarit. Të dy lojtarët janë në pritje të pasaportave kuqezi dhe në këtë mënyrë, nuk do të ketë më asnjë pengesë për të veshur fanellën e Shqipërisë. Pilo luan si mbrojtës i majtë ndërkohë që Pllana është qendërmbrojtës dhe mbrojtës i djathtë.
LISTA DHE GRUMBULLIMI- Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë në datën 26 mars dhe pak ditë para këtij takimi, Silvinjo do të publikojë listën me lojtarët e grumbulluar për këto dy sfida. Të premten e datës 20 mars ose të shtunën më 21 mars, do të publikohet lista me futbollistët e grumbulluar, ndërkohë që zyrtarisht, grumbullimi do të nisë ditën e hënë kur edhe do të zhvillohet seanca e parë stërvitore. Skuadra e drejtuar nga Silvinjo do të zbresë në fushë për herë të parë në “Shtëpinë e Futbollit” në datën 23 dhe me shumë gjasa, skuadra do të ketë edhe mungesa duke qenë se në fundjavë, lojtarët do të kenë ndeshje me klubet e tyre. Udhëtimi drejt Shqipërisë, gjithmonë varet nga orari ndeshjeve si edhe orari i fluturimit se kur mund të mbërrijnë në Tiranë për të nisur përgatitjet. Thuajse të gjitha seancat stërvitore, Kombëtarja do t’i kryejë në Tiranë me përjashtim të stërvitjes së fundit, e cila do të zhvillohet në qytetin e Varshavës. Kuqezinjtë do të fluturojnë me çarter një ditë para në drejtim të Varshavës ku edhe do të zhvillojnë seancën e fundit stërvitore para këtij takimi të rëndësishëm. Njëkohësisht me Shqipërinë, do të luhet edhe ndeshja tjetër, ajo mes Ukrainës dhe Suedisë ku edhe do të përcaktohet rivali ynë.
FINALJA- Nëse Shqipëria fiton ndaj Polonisë, në datën 31 mars do të ketë një ndeshje të madhe nga ku do të përcaktohet edhe ekipi që do të shkojë në Botëror. Në të kundërt, kuqezinjtë do të luajnë një ndeshje miqësore kundër humbësit të çiftit Ukrainë-Suedi. Ashtu si finalja, edhe miqësorja ka një situatë të ndërlikuar organizmi duke qenë se ditët janë të numëruara dhe në harkun kohor të pak orëve, duhet të rezervohet hoteli ku do të qëndrojë Kombëtarja, apo edhe orari i fluturimeve duke qenë se Shqipëria do të ketë në dispozicion një çarter për këtë rrugëtim. Shpresat janë që ndeshja e dytë të jetë zyrtare për kuqezinjtë në mënyrë që të kemi shansin që për herë të parë në histori, të luajmë në Kupën e Botës pasi rrugëtimi në fazën e grupeve, natyrisht që ka qenë fantastik ku Shqipëria u rendit në vendin e dytë pas Anglisë, duke lënë pas vetes Serbinë. Të dyja ndeshjet do të luhen në orën 20:45 në datat 26 dhe 31 mars. Shqipëria në ndeshjen e parë ishte në transfertë si skuadër jo favorite, ndërsa për ndeshjen e dytë, u hodh short i lirë dhe kuqezinjtë ishin të pafat pasi u detyruan që sërish të luanin jashtë.
