Këtë të martë kreu i PD Sali Berisha është ndalur në Durrës, ku ka mbajtur Foltoren e radhës. Berisha është pritur nga mbështetës të tij. Kreu i PD deklaroi se qeveria e kryeministrit Rama e ka kthyer korrupsionin në sistem.
Berisha ka hedhur akuza edhe për infrastrukturën, duke akuzuar qeverinë për vjedhje.
“Kush i vodhi 42 mln për pastrimin? Kush e spostoi hidrovorin në kundërshtim me të gjitha kondicionet e hidrovoreve? Që të gjithë pronësi shtetërore të vjedhura nga vetë shteti. Këta që qeverisin sot shqiptarët, sillen si pushtuesit më të egër që kanë njohur ndonjëherë”, tha ai, duke shtuar: “Ata që kanë ndërtuar atë rrugë kanë ndarë paratë me qeveritarët. Të gjitha rrugët u shembën dhe askush nuk ka përgjegjësi. Thonë na i shembi natyra. Dhanë lejen për të gërryer shtratin e Shkumbinit dhe për të hedhur rrugën që është të paktën 70-vjeçare. U shemb edhe tuneli, por e fshehën tunelin e shembur. Sa të rrezikshëm dhe sa të pamëshirë janë. Një përzierje, mafie shtetërore e zyrtarëve me mafiozë të tjerë që rëndojnë mbi shpatullat e trupin tonë dhe largojnë shqiptarët nga Shqipëria”, tha ai.
Pjesë nga fjala e Berishës;
Por kushtetuta ka përcaktuar rregullin. A nuk ishte fatkeqësi natyrore përmbytja e 600 familjeve këtu?
Zona juaj, zona përreth, i gjithë Durrësi, si kurrë ndonjëherë. Por këta sillen si pushtues. Këta kanë krijuar një grup, një klasë të degjeneruarish, njerëz si shushunja që vjedhin nga mëngjesi në darkë dhe që nuk pyesin për qytetarët më.
A keni parë njeri ju, të vendoset para ligjit për pompat e vjedhura, për kanalet e zëna, për ndërtimet mbi kanale? Asnjëri!
Shkojmë më tutje.
Ra tërmeti këtu. Pamje shumë, shumë të rënda. Si sot, kujtoj një vilë, të bukur, 3-katëshe. Pronarët e saj ishin në Greqi, kishin punuar në Greqi. Kishin marrë projektin dhe e ndërtuan këtu. Vila u shemb sikur të ishte vilë tallashi, dhe ai thoshte se, ishte hedhur beton njësoj si ndërtimet që bëjnë në Greqi. Por problemi është se, betoni i Gjushit është beton tallashi, beton i mafies.
U shemb vila sikur të ishte prej kartoni, dhe qartë fare që betoni nuk ishte beton. A dëgjuat ju, që sipërmarrësi i betonit të përgjigjet? Asnjë! Po pse? Sepse është i mafies shtetërore. I keni parë vet rrugët, meqë jemi te betoni, të rrimë pak këtu. Si kurrë ndonjëherë, e paimagjinueshme. Të gjitha rrugët e ndërtuara gjatë këtyre viteve, pa përjashtim, u shembën si të ishin karton. Keni dëgjuar ju njeri, të vihet para ligjit? Askush dhe a e dini pse? Sepse ata të ciëlt kanë ndërtuar ato rrugë, kanë ndarë paratë me qeveritarët. Dhe, meqë jam këtu, do t’u tregoj një gjë të vogël.
Në vitin 2004, Koço Kokëdhima, që unë e sulmoja, se i ndërtonte rrugët për faqe të zezë në Tiranë. Më vjen një ditë e më thotë: Sali, ke ë drejtë ti më thotë. Po të tregoj unë ty, më thotë. Çfarë po më tregon, Koço? Kur këta më marrin mua 20-30% gjobë, unë nuk ndërtoj dot rrugë, thotë. Unë pastaj, bëj sikur ndërtoj, thotë.
Ekzakt! Që ato ishin rrugica të Tiranës, nuk ishin rrugë. Kurse këtyre, këta u marrin 50%. Ndaj dhe, të gjitha rrugët një e nga një, u shembën dhe askush nuk ka përgjegjësi, jo, na i shembi natyra.
Dha lejen për të gërryer shtratin e Shkumbinit dhe për të hedhur lum rrugën e cila është të paktën 70-80 vjeçare. Ia gërryen lumi. Dhe rruga, dhe hekurudha të gjitha u shembën. Është shembur dhe tuneli. E fshehën tunelin e shembur. Ka kush përgjegjësi? Askush nuk ka përgjegjësi.
