Një muaj pas marrjes se detyrës si Inspektor i Përgjithshëm, Dashnor Sula foli për reformën e inspektimeve në vend dhe tha se çdo biznes që shkel ligjin dhe vepron në dëm të interesit publik duhet të ndëshkohet dhe të kontrollohet sipas legjislacionit në fuqi.
“Ato biznese që shkelin ligjin dhe janë të prirur të bëjnë gjëra në dëm të interesit të madh publik dhe qytetarit sigurisht ato duhet të ndëshkohen dhe kontrollohen sipas ligjit”, u shpreh Sula.
Duke u ndalur tek siguria ushqimore Dashnor Sula kërkoi nga institucionet më shumë vëmëndje ndaj rasteve kur subjekte të caktuara abuzojnë me afatet e skadencës së produkteve.
“Skadenca, nëse sot ka njerëz të cilët tentojnë apo bizneset që tentojnë që në fund të periudhës së skadencës së produkteve të tyre dhe kanë në supermarketet e tyre dhe që nuk janë shitur dhe tentojnë të krijojnë duke ndërruar etiketën duhet të jemi të vëmendshëm që çdo element abuziv ta parandaloni sepse nëse nuk parandalohet ajo do të vij në tavolinat tona si ushqim dhe dëmi është i pallogaritshëm”, tha ai.
Ndërsa drejtoresha e përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimir Blerina Gjylameti tha se do të ketë zero tolerancë ndaj kujtdo që cenon sigurinë ushqimore. Ajo theksoi njëkohësisht nevojën për angazhim dhe bashkëpunim me biznesin, në mënyrë që gjatë fazës tranzitore të përmbushen të gjitha kriteret dhe standardet e kërkuara.
“Zero tolerancë për të gjithë ata që cenojnë sigurinë ushqimore por po aq angazhim bashkëpunim me biznesin për të lehtësuar të gjithë këtë fazë tranzitore që të përmbushin të gjitha kriteret dhe standardet e sigurisë ushqimore.Sot ne funksionojmë si një trup i vetëm dhe si ishuj ne nuk mund të kemi dhe të vazhdojmë në mënyrë të tillë duhet bashkëpunim së bashku me inspektoratin e përgjithshëm për të arritur aty ku duhet inspektime në bazë risku”, u shpreh Gjylameti.
Reforma e inspektimeve synon forcimin e kontrollit dhe garantimin e sigurisë ushqimore për qytetarët, duke vendosur theksin tek zbatimi i ligjit, transparenca dhe bashkëpunimi me biznesin.
