Të gjithë gjashtë anëtarët e ekuipazhit kanë arritur të shpëtojnë pasi janë hedhur me parashutë nga tre avionë luftarakë amerikanë që u rrëzuan në një incident të cilësuar si “zjarr miqësor” nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).
Sipas një deklarate të Komandës Qendrore Amerikane, tre avionë F-15E Strike Eagle të Forcave Ajrore të SHBA-së u goditën gabimisht nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit gjatë një misioni luftarak.
Incidenti ndodhi në ditët e para të fushatës ushtarake të përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, raporton The Guardian. Ngjarja u regjistrua rreth orës 23:03 (ET), ndërsa një video e publikuar në rrjet tregonte një nga avionët duke u rrëzuar në rajonin Al Jahra në Kuvajt.
Pas rrëzimit të avionit, një nga pilotët amerikanë u gjet nga banorët lokalë, të cilët fillimisht e ngatërruan me një pilot iranian.
Të gjithë anëtarët e ekuipazhit arritën të hidhen me parashutë dhe u gjetën më pas në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Autoritetet e Kuvajtit e pranuan se bëhej fjalë për një sulm aksidental dhe kanë nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e incidentit.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane pretenduan se rrëzimi i avionit ishte rezultat i veprimeve të Iranit, por Shtetet e Bashkuara mohuan që armët iraniane të kenë pasur rol në këtë ngjarje.
Tensionet në rajon janë përshkallëzuar pasi presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi sulme ajrore ndaj Iranit pa miratimin e Kongresit amerikan, çka ka shkaktuar reagime të forta dhe rritje të tensioneve në Lindjen e Mesme.
