Arsenal largon “makthet” të kaluarës, të paktën për momentin, me “topçinjtë” që shijojnë një mesjavë perfekte, dalin me 3 pikë nga një transfertë delikate si ajo përballë Brighton, ndërsa Man.City, rivali i tyre i madh, ngeci përballë Nottingham, më mirë se kaq nuk mund të shkonte për ekipin e Arteta-s.
Ndaj Brighton ishin dhe me fat, me vendasit që i vendosën menjëherë në vështirësi, ku një gafë e portierit Raya për pak i kushtoi shtrenjtë. Me fat ishin edhe në minutën e 9-të, ku goditja e Saka u devijua mjaftueshëm sa për të nxjerr nga trajektorja portierin e Brighton, me sulmuesin anglez që festoi për këtë gol shumë të rëndësishëm. Në këtë pikë të sezonit, Arsenal nuk kujdesët më për të dhuruar spektakël, apo futboll ofensivë, rëndësi kanë vetëm pikët e plota. Për 90 minuta, më shumë u kujdesën të mos i lejonin hapësira rivalit të tyre, ndërsa tentuan në disa momente me kundërsulme të shpejta, por pa mund të gjejnë prekjen fituese.
Në fund, Arteta dhe djemtë e tij shijojnë këtë trepikësh të artë pas suksesit 0-1: “Është një fitore e madhe. E dinim se do të ishte e vështirë pasi vinim nga një ndeshje shumë intensive. Të vish këtu në këto kushte, pa pasur mundësi të stërvitesh si duhet dhe të marrësh këtë rezultat, mendoj se është diçka e jashtëzakonshme”, u shpreh Arteta.
