Zbulohet një rast abuzimi me tokat në Manzë. Policia e Tiranës ka ekzekutuar masat për 5 persona, mes tyre 3 punonjës të Kadastrës, pasi akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, si dhe për 2 përfituesit e kësaj toke.

NJOFTIMI I POLICISE
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Kontrata”. Ekzekutohen masa sigurie për 5 shtetas, të akuzuar për falsifikim dokumentesh ose shpërdorim të detyrave. Vendoset sekuestro preventive mbi një sipërfaqe toke në fshatin Mëzez, që është përfituar në mënyrë të paligjshme nga 2 prej këtyre shtetasve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, organizuan dhe finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “Kontrata”, në kuadër të të cilit u ekzekutua vendimi i datës 03.03.2026, i Gjykatës së Tiranës, që ka caktuar masat e sigurisë për 5 shtetas, si vijon:

-“Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, për shtetasin Denis Bakalli, 45 vjeç;
-“Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, për shtetasin Imer Çelaj, 59 vjeç;
-“Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit B. S., 49 vjeç, F. Z., 35 vjeç dhe Th. L., 41 vjeç, punonjës në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Nga hetimet dyshohet se shtetasit D. B. dhe I. Ç. kanë kaluar në pronësi të tyre një sipërfaqe toke 2350 m² në fshatin Mëzez, që ishte pronësi të një shtetasi tjetër, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, në bashkëpunim me 3 punonjësit e ASHK-së.

Më tej, Gjykata ka caktuar sekuestro preventive për këtë sipërfaqe toke.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: