Dikur quhej “universiteti i sulmuesve”, por sot Serie A po përjeton një krizë të qartë golash. Pas 27 javësh kampionat, shifrat flasin vetë: kryegolashënuesi i sezonit, Lautaro Martinez, ka realizuar vetëm 14 gola – kuota më e ulët në këtë fazë të sezonit në 26 vitet e fundit.
Më shqetësues është fakti se ai është i vetmi lojtar në dyshifror. Pas tij renditen disa emra me 8 apo 9 gola, mes tyre Rafael Leao, Rasmus Hojlund, Moise Kean dhe Christian Pulisic. Një panoramë e pazakontë për futbollin italian, që historikisht ka prodhuar bomberë serialë.
Në renditjen aktuale bie në sy edhe mungesa e “numrave 9” klasikë dhe e golashënuesve të skuadrave të vogla – ata që dikur mbanin gjallë garën për titullin e golashënuesit, si Fabio Quagliarella apo Antonio Di Natale.
Krahasimi me kampionatet e tjera europiane është edhe më domethënës: në Angli, Erling Haaland ka shënuar 22 gola; në Spanjë, Kylian Mbappe udhëheq me 23; ndërsa në Gjermani, Harry Kane ka arritur në 30 gola në vetëm 24 ndeshje.
Shifra që tregojnë qartë se Serie A nuk është më “shtëpia e bomberëve”. Një debat i hapur për cilësinë, stilin e lojës dhe mungesën e një sulmuesi dominues që të rikthejë shkëlqimin e dikurshëm të kampionatit italian.
