Ushtria iraniane ka mohuar akuzat e Azerbajxhanit se qëndron pas një sulmi me dron në rajonin e Nakhichevanit, ku mbetën të plagosur dy persona. Në një deklaratë zyrtare, forcat e armatosura iraniane theksuan se nuk kanë lëshuar asnjë dron drejt territorit të Azerbajxhanit, duke hedhur poshtë pretendimet e bëra nga autoritetet në Baku. Sipas tyre, përgjegjësia për incidentin mund t’i atribuohet Izraelit.
Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit kishte akuzuar Iranin për sulmin dhe paralajmëroi se incidenti “nuk do të mbetet pa përgjigje”. Pas ngjarjes, autoritetet në Baku thirrën ambasadorin iranian për të kërkuar shpjegime. Ndërkohë, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, reagoi duke deklaruar se vendi i tij nuk merr dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë operacion ushtarak kundër Iranit.
“Ne nuk marrim pjesë dhe nuk do të marrim pjesë në asnjë operacion kundër Iranit”, u shpreh ai, duke shtuar se Azerbajxhani është i gatshëm të demonstrojë forcën e tij kundër çdo kërcënimi, përfshirë edhe nga Teherani. Sipas mediave lokale, sulmi me dron ndodhi pranë aeroportit të Nakhichevanit, i cili gjithashtu pësoi dëmtime nga shpërthimi. Incidenti ka rritur tensionet mes dy vendeve në një moment të ndjeshëm për sigurinë në rajon.
