Dr. Valbona Zeneli, eksperte e lartë në Atlantic Council, ka dëshmuar përpara Kongresit amerikan mbi ndikimin në rritje të Kinës në Europë dhe rreziqet që kjo influencë mund të paraqesë për ekonominë dhe arkitekturën e sigurisë europiane.

Gjatë dëshmisë së saj, Zeneli theksoi se zgjerimi i pranisë ekonomike dhe strategjike të Kinës në kontinent kërkon një qasje më të koordinuar nga vendet perëndimore.

Valbona Zeneli u paraqiti ligjvënësve amerikanë tre rekomandime kryesore për të adresuar këto sfida, duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit euroatlantik. Sipas saj, përmes komisioneve të përbashkëta dhe një dialogu të vazhdueshëm strategjik mes SHBA-së dhe Europës mund të ndërtohet një përgjigje më efektive ndaj ndikimit të Kinës në tregjet dhe strukturat e sigurisë perëndimore. Gjithashtu, harmonizimi teknologjik është urgjent. Bashkëpunimi për kontrollet e eksporteve, gjysmëpërçuesit, inteligjencën artificiale, teknologjitë kuantike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë do të jetë vendimtar për të ardhmen. Zeneli theksoi se lidershipi teknologjik amerikan dhe fuqia rregullatore evropiane janë forca plotësuese, por dallimet mbi politikën industriale dhe autonominë strategjike duhet të kapërcehen.

Në mënyrë të veçantë, Valbona Zeneli u fokusua edhe te koordinimi në fushën e sigurisë, i cili duhet të zgjerohet për të adresuar mbështetjen e mundësuar nga Kina për Rusinë, për të forcuar kundërspiunazhin dhe mbrojtjen kibernetike, si dhe për të harmonizuar strategjitë euro-atlantike dhe indo-paqësore aty ku interesat ndërthuren.

Në dëgjesë morën pjesë disa senatorë dhe kongresmenë, dhe ajo u drejtua nga kongresmeni Jake Ellzey, përfaqësues i Texas në Kongresin Amerikan. Ekspertiza e Zenelit mori vlerësime nga të pranishmit.

Komisioni i Helsinkit i Kongresit Amerikan është komision dypartiak i qeverisë së Shteteve të Bashkuara me 21 anëtarë nga Kongresi (8 senatorë dhe 8 kongresmenë) dhe dega ekzekutive e qeverisë amerikane (si Departamenti i Shtetit), që monitoron respektimin e angazhimeve për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sigurinë në kuadër të OSBE-së.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb