Një sulm i madh i planifikuar nga Irani ndaj një baze amerikane në Katar është shmangur në minutën e fundit, sipas një raportimi të medias amerikane CNN.

Sipas raportit, objektivi i sulmit ishte baza ajrore amerikane Al Udeid Air Base, ku janë të stacionuar të paktën 10 mijë trupa amerikane, si dhe kompleksi i madh i gazit natyror Ras Laffan Industrial City.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur të hënën në mëngjes, në një moment kur Irani po përgatitej për hakmarrje pas sulmeve të fundit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli.

Sipas burimeve të cituara nga CNN, dy bombardues iranianë të tipit Sukhoi Su-24 u ngritën në ajër me qëllim goditjen e objektivave strategjike në Katar. Avionët thuhet se ishin vetëm dy minuta larg objektivave të tyre kur operacioni u ndërpre në momentet e fundit.

Burime të informuara për operacionin kanë bërë të ditur se objektivi kryesor ishte goditja e infrastrukturës ushtarake dhe energjetike, çka do të përbënte një përshkallëzim të madh të tensioneve në rajon. Megjithatë, për arsye që nuk janë bërë ende publike, sulmi nuk u realizua.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb