Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar mbi faktin largimin masiv të qytetarëve nga Shqipëria.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se kjo është pasojë e një sistemi ekonomik dhe institucional të manipuluar që nuk shpërblen meritën dhe konkurrencën.

Sipas Tabakut, Shqipëria sot përballet me një udhëkryq ekonomik që po i detyron qytetarët të largohen sërish masivisht nga vendi.

Duke iu referuar të dhënave të Eurostat, Tabaku theksoi se vetëm gjatë vitit 2024 rreth 44 mijë shqiptarë janë larguar drejt vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa në periudhën e pandemisë 2021–2022 vendi ka humbur rreth 180 mijë qytetarë për shkak të emigrimit, 60% e të cilëve janë të rinj.

“Janë të rinjtë që përballen me koston në rritje të jetesës, me çmime që rriten çdo ditë dhe me të ardhura gjithnjë e më të ulëta. Janë të rinjtë mbi të cilët bien taksat më të larta dhe që përballen me mungesë mundësish ekonomike. Ka një ekonomi të kapur në pak duar dhe një mungesë gare që reflektohet në çdo sferë, nga ekonomia te administrata publike. Kjo është arsyeja kryesore pse të rinjtë largohen dhe pse
bizneset mbyllen”, theksoi ajo.

Tabaku e gjen zgjidhjen në ndryshimin, pasi “një sistem ekonomik që sot është peng i pak duarve dhe që po i detyron shqiptarët, veçanërisht të rinjtë, të largohen nga vendi”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb