Banorët e Bagdadit dhe të Irbilit në Irak raportuan të shtunën në mbrëmje shpërthime të forta dhe aktivizimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, të cilat po përpiqeshin të neutralizonin raketa ose dronë që po afroheshin.
Sipas Associated Press, tre zyrtarë irakianë të sigurisë thanë se një raketë goditi një pistë uljeje helikopterësh brenda kompleksit të ambasadës së SHBA-së në Bagdad.
Kryeministri në detyrë i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, e cilësoi sulmin si një “akt terrorist” të kryer nga “grupe të pakontrolluara”, duke shtuar se ka urdhëruar forcat e sigurisë dhe ushtrinë të identifikojnë autorët përgjegjës për ngjarjen.
Deri më tani nuk ka raportime për viktima. Një zëdhënës i ambasadës amerikane nuk ka pranuar të komentojë mbi incidentin.
Sulmi ndodhi në Zonën e Gjelbër të Bagdadit, një zonë shumë e fortifikuar ku ndodhen institucionet qeveritare dhe misionet diplomatike. Edhe pse kjo zonë ka qenë shpesh objekt sulmesh në të kaluarën, ky është incidenti i parë i raportuar këtë javë që nga fillimi i sulmeve ajrore amerikano-izraelite kundër Iranit.
Pas përshkallëzimit të konfliktit në rajon, Irani dhe milicitë aleate në Irak kanë kryer dhjetëra sulme ndaj bazave ushtarake amerikane dhe objektivave të tjera në vend. Po ashtu janë raportuar sulme edhe ndaj bazave të grupeve opozitare kurde iraniane në Irakun verior.
