LeBron James, i cili më 7 shkurt 2023 u shpall edhe si shënuesi më i mirë në historinë e NBA-së, tani ka kaluar legjendën Kareem Abdul-Jabbar edhe në një tjetër rekord: në numrin më të madh të koshave të shënuar në ligën më të fortë të basketbollit në botë.
“King” James, 41 vjeç, realizoi një gjuajtje në kërcim përballë Zeke Nnaji të Denver Nuggets, 12.3 sekonda para fundit të çerekut të parë në ndeshjen mes Los Angeles Lakers dhe Denverit. Ky ishte koshi i 15.838-të i karrierës së tij, duke kaluar rekordin prej 15.837 që mbahej nga AbdulJabbar. Megjithatë, Lakers u mposhtën 120-113 nga Nuggets, ndërsa LeBron e mbylli ndeshjen me 16 pikë (7 nga 11 gjuajtje nga loja), 5 kërcime dhe 8 asistime në 34 minuta.
Pas ndeshjes, James u shpreh: “Vetë fakti që emri im lidhet me disa nga lojtarët më të mëdhenj të këtij sporti është gjithmonë një nder dhe një ndjenjë përulësie. Jam rritur duke i parë dhe duke i admiruar shumë prej tyre. Kur hyra në NBA doja të vendosesha në një pozicion ku emri im të përmendej mes më të mirëve”, u shpreh ylli i Lakers, i cili më pas shtoi: “Nuk e di sa lojtarë kanë luajtur ndonjëherë në NBA, por janë më të mirët në botë. Që emri im të jetë mes tyre dhe në krye është diçka e pabesueshme”.
KRAHASIMI ME BRUCE SPRINGSTEEN – Trajneri i Lakers, JJ Redick, bëri një krahasim interesant mes LeBron James dhe legjendës së muzikës Bruce Springsteen për të shpjeguar ndikimin dhe evolucionin e tij në NBA. Redick tha se karriera e LeBron i ngjan një artisti me një katalog të jashtëzakonshëm: “Jam një fans i madh i Bruce Springsteen. Albumet e tij të para kanë energji dhe rini. Pastaj sheh evolucionin e tij si kantautor dhe më vonë vijnë hitet e mëdha. Në fund mendon: ‘Sa katalog i jashtëzakonshëm!’ LeBron vazhdon t’i shtojë ‘hiteve’ të tij. Ai thjesht vazhdon të luajë dhe të shtojë kapituj të rinj në karrierën e tij”.
JAMES, “MAKTHI” I REKORDEVE TË ABDUL-JABBAR – Më 23 prill 1989, AbdulJabbar zhvilloi ndeshjen e fundit të sezonit të rregullt në NBA. Në atë kohë ai vendosi disa rekorde që zgjatën për dekada. Për vite me radhë shumë yje u përpoqën t’i afroheshin shifrave të tij, që nga Karl Malone (13.528 kosha), për të vijuar me Michael Jordan (12.192), Kobe Bryant (11.719) dhe Shaquille O’Neal (11.330). Megjithatë, asnjëri nuk arriti të rrezikojë seriozisht kryesimin e Abdul-Jabbar deri sa u shfaq LeBron James, i cili tani ka marrë edhe këtë rekord historik. Tashmë në horizont është rekordi i radhës, të thyejë rekordin e ndeshjeve të luajtura në NBA, që ende mbahet nga Robert Parish me 1.611 ndeshje. James aktualisht ka 1.606 ndeshje në NBA dhe është shumë pranë këtij rekordi.
