Presidenti amerikan Donald Trump thuhet se nuk është shumë i kënaqur me emërimin e Mojtaba Khamenei si udhëheqësi i ri suprem i Iran.

Sipas një raportimi në Fox News, prezantuesi Brian Kilmeade deklaroi gjatë programit se kishte folur me Trump pas njoftimit për zgjedhjen e liderit të ri iranian. Ai tha se presidenti amerikan i kishte thënë shkurt se “nuk ishte shumë i kënaqur” me këtë zhvillim, pa dhënë detaje të tjera mbi bisedën. Deri më tani, Trump nuk ka bërë një koment publik zyrtar për këtë çështje.

Emërimi i Mojtaba Khamenei erdhi pasi Asambleja e Ekspertëve tw Iranit vendosi ta zgjedhë atë për të pasuar të atin, Ali Khamenei, i cili u vra në orët e para të luftës së fundit në rajon.

Megjithatë, shumë analistë vlerësojnë se lideri i ri mund të mos ketë të njëjtin nivel ndikimi dhe autoriteti si babai i tij, i cili e ndërtoi pushtetin e tij gjatë më shumë se katër dekadave në krye të Republikës Islamike.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve ISNA, kleriku Mohsen Heydari, anëtar i Asamblesë së Ekspertëve, deklaroi se zgjedhja e Mojtaba Khamenei ishte në përputhje me këshillën e liderit të ndjerë që udhëheqësi suprem duhet të jetë “dikush i urryer nga armiku dhe jo i lavdëruar prej tij”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb