Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partia Demokratike e Shqipërisë, Lisandër Hoxha, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe ato që lidhen me drejtësinë në vend, gjatë një interviste në studion e News24.

Gjatë fjalës së tij, Hoxha u ndal te situata e krijuar pas kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se Republika e Shqipërisë ka nevojë për një ndarje të qartë të pushteteve.

Sipas tij, ndërhyrja e kryeministrit Edi Rama në një çështje që lidhet me hetimet e prokurorisë përbën një goditje ndaj parimit të pavarësisë së drejtësisë dhe ndaj interesave të vendit për integrimin europian.

“Republika e Shqipërisë ka nevojë për ndarje pushtetesh. Në momentin kur pushtetet nuk ndahen dhe kryeministri hyn mes vendimit të prokurorisë dhe gjykatës, këtu i është bërë atentat Republikës. Kjo është një goditje e rëndë për interesat e Shqipërisë dhe për të ardhmen e saj në BE,” u shpreh Hoxha.

Ai theksoi se çështja ndaj Ballukut është një çështje penale dhe nuk duhet parë si betejë politike, ndërsa shtoi se kryeministri nuk mund të vlerësojë provat e prokurorisë. Sipas tij, çdo ndërhyrje në këtë proces cenon përpjekjet për të pasur një drejtësi të pavarur nga politika.

Hoxha deklaroi gjithashtu se vetë kryeministri Rama është vetëidentifikuar si një nga figurat që mund të përballet me drejtësinë në kuadër të reformës në drejtësi. Ai shtoi se nuk do të çuditej nëse në të ardhmen drejtësia do të kërkonte edhe arrestimin e tij.

Sipas përfaqësuesit të opozitës, faktori ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, ka vendosur një vijë të kuqe për sa i përket funksionimit të drejtësisë në Shqipëri dhe nuk do të lejojë që investimi i tyre në reformën në drejtësi të dështojë.

Në këtë kontekst, Hoxha paralajmëroi se opozita do të intensifikojë reagimin e saj në terren.

“Opozita do të bëjë çmos që përmes protestave të tregojë qëndrimin e saj. Duhet të ketë rezistencë në rrugët e Shqipërisë. Kjo nuk është një betejë për pushtet apo për rotacion politik, sepse ai vjen përmes zgjedhjeve. Kjo është një betejë për ta kthyer vendin në shinat e shtetit ligjor,” përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb