Për kundër thirrjes së partnerëve amerikan për të rishikuar projektin dhe tenderit të Porto Romanos, i cili është trumbetuar se do të jetë dhe port i NATO-s, kryeministri Edi Rama është treguar i prerë dhe refuzues, duke thënë se ai projekt do zbatohet dhe se ata që e kundërshtojnë i kanë bërë llogaritë gabim.

Gjatë mbledhjes së Grupit të PS, ku doli në mbrojtje të Belinda Ballukut, Edi Rama iu përgjigje indirekt kritikave të kreut të Dhomës Amerikanë të Tregtisë, Grant Van Cleve, i cili ditë më parë në një letër është shprehur se Shqipëria po humb rolin e saj strategjik, pasi projekti i portit të ri në Porto Romano është shumë i vogël.

Madje ka shkuar më tej, teska amerikanët kanë ofruar dhe ekspertizë që të rishikohet ky tender, në mënyrë që porti i ri të përafrohet sipas standardeve të NATO-s.

“Pyetja është e thjeshtë: A do të varet Shqipëria nga Pireu dhe Selaniku — apo do të varen Ballkani nga Porto Romano?

Një Porto Romano i vogël do të mbetet një port kombëtar dytësor. Një Porto Romano i madh mund të ripërcaktojë rolin strategjik të Shqipërisë në Evropën Juglindore.

Zgjidhja e Propozuar

1.Kërkojmë me respekt që tenderi i Porto Romanos i planifikuar për 9 mars të shtyhet dhe të rishikohet në bazë të kërkesave më të fundit të NATO-s dhe Korridorit 8.
2.Mund të lehtësojmë zhvillimin EPC+F të një Porto Romano më të madh brenda këtij viti, të bashkëfinancuar nga partnerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia, dhe të realizuar nga furnitorë strategjikë nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia.
3.Mund të ofrojmë firmat më të mira inxhinierike amerikane për të asistuar në rishikimin e projektimit të Porto Romanos, hekurudhave, autostradave dhe të gjithë infrastrukturës dual-use të Korridorit 8, të ndërtuara sipas standardeve të NATO-s, në koordinim të plotë me NATO-n dhe për të siguruar financim shtesë nga NATO”, thuhet në reagimin e kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve.

REFUZIMI I RAMËS

Por sot para deputetëve të PS gjatë qëndrimit publik, ka theksuar se duhet të jepte një qëndrim për tenderin e Porto Romanos, për të cilin tha se plani i tij ka ngjallur xhelozi. Në qëndrimin e tij, i cili linte vend për interpretime, Rama ka thënë se: “ata që e luftojnë projektin, ata që s’po lënë gur pa luajtur për ta bllokuar projektin, ne i dimë kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet”.

“Duhet të them këtu dy fjalë për Porto Romanon, është një nga proceset më të ndërlikuar, ndoshta më i ndërlikuar që ne kemi bërë. Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi. Xhelozitë janë të zakonshme mes vendesh që janë në stade të caktuara zhvillimi. Një proces shumë i sofistikuar me projektin e studios më të madhe në botë dhe me reputacionin më absolut në botë për ndërtimin e infrastrukturës dhe sidomos të asaj portuale e Royal Haskoning nga Hollanda.

Një garë e jashtëzakonshme me pjesëmarrje nga të gjitha anët, por e monitoruar nga A-ja te Zh-ja nga konsulenti Royal Haskoning përsëri dhe armiqësi ndaj projektit. Nuk do flas më shumë, por një gjë dua ta them këtu: Ata që e luftojnë projektin, ata që s’po lënë gur pa luajtur për ta bllokuar projektin, ne i dimë kush janë dhe i kanë bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet.

Unë nuk kam plan B vetëm për Bashkimin Europian, për çdo gjë tjetër jam te C-ja” u shpreh kryeministri.

RUSET PAS PORTI TE RI NE PORTO ROMANO

Opozita nga ana tjetër ka theksuar se pas fituesve të projektit të Porto Romanos qëndrojnë interesa të kundërshtarëve të NATO-s, me konkretisht Rusisë. Sipas Berishës, Rama do qe porti te ndërtohet nga ruset, por kjo gje eshte zbuluar nga aleatet e NATO-s.

“Edi Rama ka dorën e tij të zezë mbi shkatërrimin e Portit të Durrësit, një pasuri kombëtare prej 4 miliardë eurosh.

Ai u përpoq të tërheqë në aferat e tij korruptive NATO-n, por dështoi me turp dhe tani që janë oferta të qarta të partnerëve strategjikë, ai kërkon që portin e Durrësit për ta vjedhur ta ndërtojë me rusët apo me të tjerë që kanë interesa të ngushta strategjike me Shqipërinë dhe NATO-n”, ka tënë Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb