Policia e Shtetit ka arrestuar në Tiranë një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit me homologët italianë, përmes specialistëve të Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi provizor me qëllim ekstradimin në Itali i shtetasit Bledar Barsan, 32 vjeç.
Sipas Policisë, Gjykata e Ankonës e ka dënuar 32-vjeçarin me 8 vjet, 11 muaj e 10 ditë burgim për veprat penale plagosje, kundërshtim të punonjësit të Policisë dhe vjedhje, sipas legjislacionit penal italian. Pas arrestimit në Tiranë, autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për dorëzimin e tij tek drejtësia italiane. Ndërkohë, Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 32-vjeçarit drejt Italisë.
NJOFTIM
Tiranë/Vijon operacioni ndërkombëtar, i koduar “The Wanted”.
I dënuar me rreth 9 vjet burgim, në Itali, për 3 vepra penale, arrestohet provizorisht 32-vjeçari.
Në vijim të shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve operacionale, me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës, të kryera në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kryen veprimet për arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin në Itali, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Bledar Barsan, 32 vjeç.
Gjykata e Ankonës e ka dënuar këtë shtetas, me 8 vjet, 11 muaj e 10 ditë burgim, për plagosje, kundërshtim të punonjësit të Policisë dhe vjedhje, sipas parashikimeve të ligjit penal të Italisë.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.
