Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë lidhur me mosmiratimin në Kuvend të ngritjes së një Komisioni Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë dhe administrimin e fondeve të programit IPARD II në sektorin e bujqësisë.
Sipas opozitës, refuzimi i kësaj kërkese nga mazhoranca përmes votimit politik përbën shkelje të një të drejte kushtetuese të saj dhe cenon rolin e deputetëve opozitarë në Kuvend.
Në reagimin e saj, PD thekson se ky vendim e kthen rolin e opozitës në parlament në një formalitet dhe krijon, sipas saj, një “fasadë normaliteti” që dëmton standardet e parlamentarizmit demokratik.
Demokratët shprehen se kjo situatë ka vënë në pikëpyetje serioze funksionin e opozitës në Kuvend, pasi sipas tyre deputetët nuk mund të ushtrojnë plotësisht përgjegjësitë e tyre për të kontrolluar qeverinë dhe për të ngritur çështje me interes publik.
Sipas PD, nëse opozita nuk mund të diskutojë në parlament çështje që prekin qytetarët, nuk mund të ushtrojë kontroll mbi qeverisjen dhe nuk i respektohen të drejtat kushtetuese, atëherë roli i saj mbetet vetëm formal, duke dëmtuar sistemin e balancës dhe kontrollit mes pushteteve në një shtet demokratik.
