Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, zhvilloi një takim me Kryetaren në detyrë të Bashkisë Tiranë, znj. Anuela Ristani, dhe stafin e saj, duke përmbyllur ciklin e takimeve me bashkitë e qarkut.
Takimi u fokusua te çështjet kryesore për zhvillimin e kryeqytetit, duke përfshirë forcimin e bashkëpunimit institucional, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe adresimin e sfidave të administrimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit.
“Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe Institucionit të Prefektit është kyç për zbatimin e politikave që shërbejnë interesin publik,” tha Hajdari, duke shtuar se koordinimi i vazhdueshëm garanton një zhvillim më të qëndrueshëm të kryeqytetit.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e respektimit dhe lirimit të hapësirave publike dhe menaxhimit në kohë reale të emergjencave civile: “Qyteti ka nevojë për shërbime efikase dhe përgjigje të menjëhershme ndaj situatave emergjente, në funksion të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.”
Një tjetër prioritet i evidentuar nga Hajdari ishte lufta kundër kultivimit të kanabisit në shkolla: “Monitorimi i shkollave dhe masat preventive janë të domosdoshme për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të pastër për të rinjtë tanë.”
Ai përmendi gjithashtu pastrimin e qytetit dhe rregullimin e varrezave si çështje prioritare: “Ne duhet të gjejmë zgjidhje ligjore dhe efektive për pastrimin e qytetit dhe standardizimin e varrezave, duke respektuar ligjin dhe nevojat e qytetarëve.”
Në përfundim, Hajdari deklaroi gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin institucional: “Qeverisja efektive dhe shërbimet më të mira për qytetarët kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve. Kjo do të mbetet prioriteti ynë kryesor.”
