Tre të rinj u plagosën me thikë mbrëmjen e së martës pranë Komisariatit të Bulqizës, pas një konflikti që nisi fillimisht mes familjarëve të tyre. Burime për News24 bëjnë me dije se sherri ndodhi në kohën kur tre të afërmit e tyre po merreshin në pyetje në komisariat, pasi familjarët e të shoqëruarve po prisnin në ambientet e jashtme të një lokali.
Për rrjedhojë, shtetasit me iniciale J.C. dhe Y.Sh. u përleshën fizikisht, si dhe plagosën me thikë 3 të rinjtë Fluturim Tolla, Adhurim Koçi, si dhe Renaldo Dauti, të cilët pasi morën ndihmën e parë në Spitalin e Bulqizës u dërguan me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku bëhet me dije se 26-vjeçari Tolla është në gjendje të rëndë. Dy autorët e dyshuar të plagosjes mundën të largoheshin nga vendngjarja, ndonëse sherri ndodhi pranë Komisariatit të Bulqizës.
Bulqizë / Informacion paraprak
Më datë 10.03.2026, rreth orës 20:30, në qytetin e Bulqizës, dyshohet se, pas një konflikti të çastit, janë konfliktuar fizikisht shtetasit Q. B., A. T. dhe D. H., të cilët janë shoqëruar menjëherë nga shërbimet e Policisë në ambientet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Rreth orës 21:00, në ambientet e jashtme të një lokali, janë mbledhur familjarët e shtetasve të shoqëruar në komisariat, ku shtetasit J. C. dhe Y. Sh. janë konfliktuar fizikisht me shtetasit R. D., A. K. dhe R. T.
Si pasojë e këtij konflikti kanë mbetur të dëmtuar, dyshohet me mjete prerëse, shtetasit R. D., A. K. dhe R. T., të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore më të specializuar drejt Tiranës.
Shërbimet e Policisë po krehin zonën, me qëllim kapjen e dy autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasve J. C. dhe Y. Sh.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
