Mbyllet sot afati për aplikim për garën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas largimit të Ilir Prodës
Deri më tani mësohet se janë paraqitur 4 aplikime, bëhet fjalë për drejtorin e Policisë së Vlorës, Elidon Çela, drejtori për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në DPPSH, Pëllumb Seferi, drejtorin e Policisë së Fierit, Skënder Hitaj dhe Idajet Faskaj.
Në garë pritet të jenë edhe punonjës të tjerë të policisë që kanë gradat Drejtues, Drejtues i Parë dhe Drejtues i Lartë.
Pas përfundimit të afatit të aplikimeve, Ministria e Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve. Brenda 10 ditëve, një Komision i Posaçëm i përbërë nga 3 persona, me kryetar një zëvendësministër i Brendshëm, dhe 2 anëtarët, sekretari i përgjithshëm i këtij dikasteri dhe kreu i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, kryen vlerësim paraprak për verifikimin e kushteve ligjore.
Në fund të procesit hartohet lista përfundimtare e kandidatëve që plotësojnë kushtet.
Më tej vijon faza e intervistimit, ku shpaloset platforma e secilit me nga 20 minuta në dispozicion. Pas përfundimit, ky komision ka afat 48 orë për të nxjerrë rezultatet me pikëzimin.
Jo domosdoshmërisht i pari i renditur bëhet drejtori i ri i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ligji thotë që njeri prej kandidatëve të pikëzuar, i konsideruar më i përshtatshëm për detyrën, t’i propozohet nga ministri i Brendshëm, Këshillit të Ministrave për emërimin e tij.
