Në mbrëmjen e së martës në NBA u regjistrua një performancë historike. Në fitoren e thellë 150-129 të Miami ndaj Washington, protagonisti absolut ishte Bam Adebayo, i cili realizoi plot 83 pikë për skuadrën nga Florida. Kjo paraqitje hyn menjëherë në histori si e dyta më e mirë individuale në NBA, pas 100 pikëve të Wilt Chamberlain në vitin 1962, duke lënë pas edhe rekordin prej 81 pikësh të Kobe Bryant në vitin 2006. Adebayo e nisi vrullshëm ndeshjen duke shënuar 31 pikë që në periodën e parë dhe e mbylli sfidën me 36 pikë nga gjuajtjet e lira. Pas ndeshjes ai u shpreh se kjo ishte një mbrëmje që nuk do ta harrojë kurrë.

Në sfidat e tjera, Detroit fitoi bindshëm 138-100 në transfertë ndaj Brooklyn dhe u bë skuadra e parë në Konferencën e Lindjes që siguron matematikisht një vend në play-off, me Jalen Duren protagonist me 26 pikë. Philadelphia mposhti 139-129 Memphis, falë performancës së dyshes Payne-Oubre që realizoi së bashku 62 pikë.

Fitore regjistroi edhe Houston, që mundi 113-99 Toronto, në një ndeshje ku Kevin Durant ishte më i miri me 29 pikë. San Antonio surprizoi Boston duke triumfuar 125-116, me Victor Wembanyama që shkëlqeu me 39 pikë.

Ndërkohë, Lakers u ngjitën në vendin e katërt në Konferencën e Perëndimit pas fitores 120-106 ndaj Minnesota, ku Luka Dončić dhe Austin Reaves realizuan nga 31 pikë secili. Golden State pësoi një tjetër humbje, këtë herë pas kohës shtesë 130-124 ndaj Chicago, me Buzelis që udhëhoqi miqtë me 41 pikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: