Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuse lidhur me ndërprerjen e aksesit ne Tik Tok, duke theksuar se gjykata konstatoi se masa përbën kufizim të lirisë së shprehjes dhe të shtypit. Zhupa falënderoi AGSH dhe BIRN për dërgimin e çështjes në gjykim kushtetues, ndërsa shtoi se vendimi konfirmon qëndrimin e saj të mëparshëm se mbyllja e platformës ishte një akt i rëndë kundër lirisë së shprehjes dhe një veprim me motiv elektoral. Sipas saj, tentativa për të kufizuar TikTok gjatë fushatës synonte mbylljen e zërave kritikë dhe ngushtimin e hapësirës së debatit publik.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese konstatoi se ndërprerja e aksesit në platformën TikTok përbën kufizim të lirisë së shprehjes dhe të shtypit. Falenderoj Asociacionin e Gazetarëve dhe Rrjetit Investigativ BIRN që e dërgoi në mënyrë të pavaruar në gjykim kushtetues. Konstatimi se vendimi i qeverisë për mbylljen e TikTok ka cenuar lirinë e shprehjes është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave themelore.
Ky vendim konfirmon qartësisht qëndrimin e opozitës të shprehur më herët: mbyllja e një rrjeti social si TikTok, vetëm sepse nuk kontrollohej dot nga pushteti, ishte një akt i rëndë kundër lirisë së shprehjes dhe një veprim me motiv të pastër elektoral.
Fushata elektorale duket se i trembi aq shumë sa u tentua censura dhe kufizimi i një platforme ku qytetarët shprehen lirshëm dhe ku propaganda nuk mund të kontrollohet me “report”, “shadowban” apo aplikacione propagandistike.
Qartësisht një mekanizëm i vërtetuar sot që ështe përdor për interesa elektorale duke mbyllur zërat kritikë ndaj qeverisë dhe duke ngushtësuar hapësirën e partive politike.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një rikujtesë e fortë se liria e shprehjes nuk mund të cenohet me vendime politike dhe se frika e pushtetit ka arritur niveli alarmante.
