Partizani mposhti në stadiumin kombëtar “Air Albania”, Dinamon në derbin e vogël të kryeqytetit me shifrat 2-0.

Të kuqtë u shfaqën dominues dhe ia dolën që falë këtij trepikëshi të “parakalonin” në renditje blutë, duke marrë në këtë moment pronësinë e vendit të katërt në tabelën e klasifikimit, çka do të thotë pjesëmarrje në “Final Four” që ishte edhe objektivi i Partizanit në fillimin e sezonit. “Air Albania”, duket se i sjell shumë fat trajnerit të Partizanit, Oltijon Kërnaja.

Tekniku e ka drejtuar skuadrën në tre derbi përgjatë këtij sezoni në këtë impiant dhe për kuriozitet në të treja rastet ka triumfuar me shifrat 2-0. Kërnaja, e fitoi derbin e parë (2-0) në “Air Albania” ndaj Tiranës në fazën e dytë të kampionatit, ndërsa po me të njëjtat shifra, fitoi në derbin ndaj bardhebluve në fazën e tretë të kampionatit. Tashmë, dy fitoreve të sipërpërmendura, i bashkangjitet edhe fitorja e fundit ndaj Dinamos, teksa “Arena kombëtare” është tepër fatsjellëse për trajnerin Kërnaja.

Ndërkohë, në këtë impiant, Partizani e ka humbur një derbi, atë ndaj Tiranës në fazën e parë me rezultatin 3- 0, por në atë sfidë në stol nuk ishte Kërnaja, por trajneri serb Mlladen Milinkovic, i cili u shkarkua pas asaj sfide. Ndërkohë, një tjetër derbi me Dinamon pritëse ku Partizani u mposht 2-0, u zhvillua në “Elbasan Arena”. Ndaj, Partizani me trajnerin Kërnaja në krye ende nuk e ka provuar shijen e humbjes në një derbi të luajtur në “Air Albania”.

Tashmë, tekniku nga Tropoja dhe të besuarit e tij do të startojnë fazën e katërt me më shumë besim në forcat e tyre, teksa aktualisht janë në vendin e katërt dhe me një ecuri të tillë, nuk do të ishte çudi që në fundin e kampionatit, me përfshirjen në “Final Four” dhe me formulën e përgjysmimit të pikëve të futen në garë për titullin, edhe pse diçka e tillë në fillimin e sezonit dukej një “tabu”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb